Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për zërat brenda partisë të cilët po bëjnë thirrje për rikthimin e Vjosa Osmanit.
Mustafa në një intervistë për lajmi.net ka thënë se thirrje të tilla nuk janë serioze, shkruan lajmi.net.
Kjo për faktin sepse sipas tij me Osmanin ka pasur një bashkëpunim të ngushtë për një kohë, dhe pastaj e njëjta ka vendosur që rrugëtimin e saj ta vazhdojë diku tjetër.
“Unë s’i kam bërë thirrje, sepse mu ka duk që edhe thirrjet e tilla nuk janë shumë serioze. Sepse zonja Osmani e din vet ajo ka qenë në organet më të larta të LDK-së. Kemi pas një bashkëpunim të ngushtë për një periudhë kohore. Kemi pas edhe kritika prej saj, mirëpo kemi ecë përpara me të bashkë”, ka thënë Mustafa.
“Në qoftë se ajo pas gjithë kësaj periudhe të qëndrimit në LDK ka vendos që të heq dorë nga LDK dhe të kalojë në një subjekt tjetër, unë s’e di çfarë politika dhe oferta do ketë ai subjekti tjetër që mund ta themelojë zonja Osmani për Kosovën dhe zgjidhjen e problemeve për Kosovën. Unë nuk e shoh shumë serioze që dikush të del jashtë, dhe pastaj të tjerët t’i bëjnë ftesë eja brenda sepse nuk jemi duke luajtur një lojë jo-serioze, por jemi subjekte serioze politike”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.
Tutje, Mustafa ka thënë se nuk pret që dalja e Vjosa Osmanit nga partia ta dëmtojë LDK-në, mirëpo që për këtë çështje ai shton se është shumë herët që të bëhen kalkulime.
Ai shton se sipas tij, në LDK duhet të jenë njerëzit që i respektojnë vendimet dhe traditën e partisë.
“Unë mendoj që jo, nuk e dëmton por megjithatë tash kemi hyrë në proces zgjedhor. Është kohë mjaftë e shkurtër që ne ta kemi informatën se a e dëmton apo jo, por unë mendoj që në LDK duhet të jenë ata njerëz që i respektojnë vendimet e LDK-së, i respektojnë vendimet e LDK-së, politikat e LDK-së, e mbajnë kursin e qendrës së djathtë që e ka LDK-ja edhe në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, traditës dhe respektimit të partnerëve tanë të brendshëm dhe ndërkombëtar. Në këtë aspekt nuk do të merremi me njëri-tjetrin tani dhe në të ardhmen, por me atë se çka ne si LDK mund t’i ofrojmë zgjidhje në një situatë mjaftë të rëndë në të cilën po kalon vendi”, ka thënë Mustafa.