Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur para mediave pas takimit që pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, raporton Gazeta Express
Mustafa tha se me presidentin kanë diskutuar për veprimet që do të merren pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë, derisa ka shtuar se presidenti i ka informuar për opsionet kushtetuese.
“Diskutuam për daljen nga kjo situatë, u informuan nga presidenti për opsionet kushtetuese. Si LDK vlerësojmë se nuk është koha që të shkohet në zgjedhje për shkak të situatës me koronavirus, dhe po ashtu jemi të bindur se edhe zgjedhjet në këtë periudhë nuk do të na sillnin në një situatë tjetër jashtë asaj që sot jemi, duke marrë vullnetin politik të subjekteve që hyjnë dhe dalin në zgjedhje dhe mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë, që ka të drejtë Kushtetutën ta ndryshojë. Jemi për atë që të bëhet një qeveri e re, që e ka parapa edhe Aktgjykimi i vitit 2014. Kjo qeveri do të zotohej me të gjitha kapacitetet në luftën kundër virusit korona, të punojë në zhvillimin ekomomik sepse do të ballafaqohemi me një situatë shumë të rëndë ashtu si po paralajmërohet. Ne jemi një vend i pazhvilluar dhe duhet të kem një kujdes të veçantë, po ashtu me nevojën e dialogut me Serbinë, për çfarë duhet të jemi të përgatitur dhe po ashtu duhet të kemi një shumicë në Kuvend”, tha Mustafa.
Shefi i LDK-së tha se nuk kanë diskutuar për një emër që mund të propozohet për kryeministër.
“Sot s’kemi diskutuar për emër, po për vullnetin politik, besoj që presidenti do t’i ndjekë të gjitha procedurat sepse ne si asnjë rast nuk do të hyjmë në një proces që nuk besojmë se është kushtetues”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së u pyet nga mediat edhe për kohën kur Albin Kurti, tash kryeministër në detyrë, e kishte quajtur superkriminel.
“Me nis me ja kthy z. Kurti krejt çka ka thanë për mu, do ta ulja krejt nivelin edhe timin edhe të subjektit që i takoj. Ajo çka është thënë më herët për asociacionin, por vetëm që nuk është në harmoni me frymën kushtetuese. S’ka pasë shkelje po ka pasë devijim, tani kemi një aktgjykim që thotë se janë shkelë nenet e Kushtetutës. Nëse shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut është shkelje e rëndë, nuk po e cilësoja a është dikush kriminel apo më pak kriminel, po ne të gjithë kemi bërë vërejtje në ditën kur është vënë vendimi. Qeveria duhet t’u kërkojë falje qytetarëve që u ka sjellë kufizime dhe po ashtu të marrë mend që edhe sa është qeveri në detyrë të mos marrë vendime të tilla të pushtetit pa kufi që duan ta ushtrojnë në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa.