Mustafa: Nëse Vjosa kërkon nga unë, do ta udhëzoj si të ketë qasje në votim, Kryesia s’ka kompetencë


Vjosa Osmani, sot i ka dërguar zyrtarisht një letër Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion çdo detaj i procesit të votimit të datës 20 qershor që rezultoi me shkarkimin e saj nga pozita e Nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë.

Megjithatë një shërbim të tillë për Osmanin nuk mund ta kryej Kryesia e LDK’së, meqë nuk ka kompetenca. Kështu ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai potencon se një letër e tillë nuk është dërguar në adresë të Kryetarit të partisë dhe se Kryesia e LDK’së nuk është adresa që mund t’i bëjë zgjidhje Vjosa Osmanit për kërkesën e paraqitur.

“Një kërkesë të tillë, Vjosa Osmani nuk e ka adresuar te unë, si Kryetar i LDK-së. Sipas Statutit të LDK-së, Kryetari i LDK-së i propozon Këshillit të Përgjithshëm zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë dhe të nënkryetarëve të LDK-së, poashtu edhe shkarkimin e tyre. Prandaj adresa nuk është Kryesia. Sepse, nuk ka te beje kjo me Kryesinë dhe fushëveprimin e saj”, ka thënë Mustafa për Express.

Kryetari Mustafa thotë se Osmani një kërkesë të tillë duhet t’ia dërgojë atij dhe nëse ndodh një gjë e tillë më pas do të marrë udhëzimet e duhura sesi mund të ketë qasje në rezultatin e votimit.

“Nëse kërkon nga Kryetari, do ta udhëzoj sesi mund të ketë qasje në rezultatet e votimit”, ka theksuar tutje Mustafa. 

Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së  më 20 qershor të këtij viti më 70 vota për, 16 kundër dhe 9 abstenime ka vendosur për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK’së. 

 “Sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhej në njoftimin zyrtar të LDK”së. 

Një kërkesë e tillë e kryetarit të LDK’së për shkarkimin e Osmanit  drejtuar Këshillit të Përgjithshëm ka ardhur pas kundërshtimeve të njëpasnjëshme të kryekuvendares ndaj vendimeve dhe qëndrimeve të LDK’së.

Osmani nuk ka përkrahur mocionin e LDK’së për rrëzimin e Kurtit, ka dërguar koment në Gjykatën Kushtetuese përmes të cilit kishte kërkuar që dekreti i Thaçit për Hotin të shpallet anti-kushtetues dhe gjithashtu nuk ka marrë fare pjesë në ditën kur është votuar qeveria Hoti.