Arben Mustafa, koordinatori për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, ka thënë se me Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti nuk ka punësim e as drejtësi në punësim.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se këtë e dëshmon anketimi që është publikuar nga UNDP ku thuhet se 81.2 përqind e qytetarëve të vendit nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit.
“Nga qytetarët e anketuar, 74.6% kanë listuar papunësinë, varfërinë, rritjen e çmimeve dhe çmimet e produkteve bazë si problemet kryesore me të cilat ballafaqohet vendi”.
“Këto të dhëna paraqesin një ilustrim faktik të dështimit të kësaj qeverie për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës dhe nevojën urgjente që qeveria ta kthej vëmendjen drejtë ofrimit të zgjidhjeve për problemet kyçe me të cilat ballafaqohen qytetarët”.
“Përveç se janë të shqetësuar me papunësinë e lartë që po mbretëron në Kosovë, qytetarët janë shprehur shumë të pakënaqur edhe për sa i përket punësimit në baza meritore në sektorin publik. Rezultatet e anketës tregojnë se 78% e qytetarëve besojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore”, ka thënë Mustafa.