Mustafa: LDK-ja ka angazhuar një ekip të ekspertëve për rimëkëmbjen ekonomike pas koronavirusit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se kanë angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Sipas tij, prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.

“Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij, në Facebook.

Postimi i plotë i Mustafës

Qytetarë të respektuar,

Ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi te gjitha prioritetet.

Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit.

Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi.

Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera. IM