Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, të mërkurën mbrëma, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partneri i koalicionit, VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ka folur edhe për mospajtimet rreth taksës ndaj mallrave të Serbisë, për çka LDK-ja insiston që të hiqet plotësisht dhe pa kushte, siç po kërkon SHBA-ja.
“Patëm mbledhjen e kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA’në, si rezultat i mos heqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni. Gjithashtu e trajtuam edhe problemin që sot ka lind me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot në mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK’ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti”, është shprehur Mustafa.
Mustafa tha se Kurti nuk respektoi marrëveshjen e koalicionit duke mos u konsultuar fare me kryetarin e partisë në koalicion për ta shkarkuar një ministër të saj.
“Sot është shkarkuar një ministër i LDK-së, në kundërshtim me marrëveshjen për koalicion. Nëse kryeministri ka vërejtje për ministrat e LDK-së, duhet të konsultohet me kryetarin e LDK-së fillimisht, e nuk ka ndodhur të konsultohet me mua”, tha Mustafa.
Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti liroi nga pozita e ministrit Veliun, me arsyetimin se gjatë një interviste të mbrëmshme ka shpërndarë panik në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin.
LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë vetëm një muaj e gjysmë që janë në koalicion.