Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ka qenë i bindur se në Uashington nuk do të diskutohej për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Mustafa ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu e kanë ditur që në Shtëpinë e Bardhë s’do të flitej për ndarje.
“Mendoj se ka qenë e qartë edhe për z. Kurti, edhe për znj. Osmani, se nuk ka ndarje. Apo të shprehem me gjuhën e Kurtit, që s’ka thika mbi tavolinë”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, gjatë kohës sa Kurti ishte kryeministër ai nuk kishte vendosmëri.
“Kam parë mungesë të vendosmërisë, të guximit, që të sfidohet me atë çështje. Kam parë që po heziton të shkojë atje. I kam thënë se SHBA’ja s’na sfidon me diçka që ne s’mund ta pranojmë. Richard Grenell ka thënë se nuk do t’ia imponojmë palëve asgjë që nuk dëshirojnë”, ka treguar kreu i LDK-së në t7.