Mustafa: Kujtim Shala i rrah me dije prej të parit e deri tek i fundit në Vetëvendosje

Një incident ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, në të cilin Vetëvendosje po pretendon se deputeti i saj, Gazmend Gjyshinca është rrahur nga dy deputetët e LDK-së, Arben Gashi e Kujtim Shala.

E në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar i pari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai me anë të një postimi në Facebook, ka ironizuar me VV-në, duke thënë se “kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala”.

Sipas Mustafës, Kujtim Shala mund t’i rrahë më dije e argumente prej të parit e deri tek i fundit në Vetëvendosje.

“Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit”,  ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala. Nuk ke kapacitet të mendosh dhe ta kuptosh se çfarë tha dhe thua me rrahu Kujtimi.
Akademik Shala mund ti rrahë me dije e me argumente prej të parit deri në të fundit të VV-së dhe të gjithë së bashku. Ai ka dije e mendjehollësi; ka më shumë libra të botuara sesa VV-ja deputetë.
Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit.
Deri sot i kanë bërë të gjitha të zezat, e sot improvizojnë se i sulmuan deputetët e LDK-së, sepse duan të luajnë rolin e viktimës.
Tani po pres, që ndonjë diplomat i jashtëm, përkëdhelës i VV-së, të ma sjell një “demarsh” në LDK; ata që u mërzitën shumë kur e prishëm koalicionin me VV-në?!.