Shënon, lufton, asiston. Ai ka gjetur dimensionin në Mallorca, pas periudhës te Lazio. Vedat Muriqit i kanë mjaftuar tri ndeshje për t’u bërë i pëlqyer në klubin spanjoll, gjithnjë i gatshëm në zonën e rrezikshme dhe i aftë për t’i shërbyer bashkëlojtarët që po mundohen ta shpëtojnë ekipin e Luis Garcias.
Muriqi arriti në janar në Mallorca dhe menjëherë startoi në ndeshjen ndaj Cadizit. Rezultati? Gol vendimtar nga penalltia dhe tri pikë vendimtare për të mbajtur distancën me zonën e nxehtë ku Alavesi, Levante dhe Cadizi ende qëndrojnë.
Muriqi vazhdoi me gol edhe të dielën ndaj Betisit, njërës prej skuadrave më të mira në ligë. Mallorca humbi 2:1. Zero pikë për ishullorët, por vetëbesim i duhur për vazhdim të kampionatit, duke konsideruar formën e sulmuesit 27-vjeçar.
Dy gola në tri ndeshje për Muriqin, që po starton në sistemin 4-4-2. Por po ashtu një asistim në fitoren ndaj Athletic Bilbaos më 14 shkurt.
Çka shkoi keq te Lazio për ish-sulmuesin e disa skuadrave turke? Pikë së pari, pamundësia për të luajtur nga minuta e parë për shkak të prezencës së Immobiles. Mallorca në anën tjetër i ka ofruar Muriqit mundësinë që të luajë nga fillimi. Nëse nuk ka ndonjë befasi, do të jetë kështu deri në fund të edicionit. Muriqi është përgjigjur me kontribut të çmuar në gjashtë pikë të rëndësishme në një periudhë të vështirë.
Muriqi është në huazim te Mallorca deri në qershor, me të drejtë të blerjes. E tashmja flet për një rilindje të “Piratit” në Spanjë. Në verë me shumë mundësi rrugët e Muriqit e të Lazios do të ndahen përfundimisht. Me formën aktuale, Mallorca pritet të ndajë 11 milionë për ta mbajtur për kohë më të gjatë Muriqin.