Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Mallorcas edhe sezonin e ardhshëm.
Gazeta turke “Milliyet” ka njoftuar të martën se te Mallorca kanë vendosur që të mos e blejnë kartonin e tij në fund të sezonit. Muriqi u huazua te Mallorca nga Lazio në janar dhe ekipi spanjoll ka të drejtën e blerjes së tij për 12 milionë euro.
Megjithatë, te Mallorca nuk do ta shfrytëzojnë këtë opsion pasi Muriqi nuk ka bindur me paraqitjet e tij. Në fakt, ai shënoi dy gola dhe bëri një asistim në tri ndeshjet e para te Mallorca, por në gjashtë ndeshjet e fundit, Muriqi nuk ka shënuar gol.
27-vjeçari ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025 dhe thuhet se sezonin tjetër do të rikthehet në Turqi, te skuadra e Fenerbahçes.