Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten në seancë të re plenare duke filluar prej orës 10:00, në të cilën pritet të mbahet një interpelancë, të shqyrtohen disa projektligje e rekomandime.
Interpelanca është me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”.
Kjo pas mosekzekutimit të pagave për muajin shtator për sindikalistët e arsimit të cilët ishin në grevë si dhe akuzave në drejtim të komunave se nuk ka bashkëpunuar për listat e pagave.
Një tjetër pikë që pritet të ngjallë interes është edhe ajo e shqyrtimi të parë të Projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Rendi i ditës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-166 për Tubime Publike,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-173 për Sigurinë Kibernetike,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë.
9. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021,
10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.