Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, tha se Kosova konsultohet dhe koordinohet për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore që ndalon përdorimin e dinarit serb.
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë, Murati u pyet të jepte një qëndrim lidhur me deklaratat e ndihmëssekretarit amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit të BQK-së.
Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së që parasheh përdorimin vetëm të euros për pagesa, pavarësisht kërkesës së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë zbatimin e saj.
“Sa i përket çështjes së deklaratave të partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjithsesi duhet theksuar se është një vendim i cili është marrë nga Banka Qendrore në dhjetorin e vitit të kaluar. Nuk është vendim që është marrë rishtazi. Vendimi ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, por është marrë më herët”, tha Murati.
“Patjetër që konsultohemi, patjetër që koordinohemi dhe patjetër që kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që arrin apo që synon të arrijë rregullorja e BQK-së, por edhe shumë ligjeve të tjera që kemi miratuar ne, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Besoj se këto i keni marrë edhe përmes deklaratave të ambasadave. Do të thotë, nuk ka dilema apo nuk ka kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë. I vetmi dallim është në periudhën apo si të dizajnohet periudha tranzitore, që është kërkuar që të ketë”, shtoi ai.
Ditë më parë, BQK-ja njoftoi se për zbatimin e lehtësuar të rregullores së saj do të jetë një periudhë tranzitore, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se shteti nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
Por, O’Brien tha më 13 shkurt se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.