Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se të gjithë ata që pagën primare e kanë nën 1 mijë euro do të përfitojnë nga masa e Qeverisë për ndarjen e 100 euroshit si ndihmë për muajin prill në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Murati në një konferencë për medie, sqaron se nga ky përfitim do të përjashtohen të gjithë ata që janë në pozita drejtuese të niveleve qeverisëse, si dhe të gjithë ata që kanë paga mbi 1,000 euro.
“Kriter do të jetë që të gjitha pagat primare që janë nën 1,000 euro do të mund të përfitojnë, kurse ata që janë mbi, praktikisht nuk përfitojnë nga kjo mbështetje. Nga këtu do të përjashtohen të gjitha pozitat drejtuese në nivele qeverisëse të vendit”, tha Murati.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti pati njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
Kjo masë do të aplikohet gjatë muajit prill dhe nga e njëjta do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht çdo familje në vend.