Murati: Malli potencialisht i kontrabanduar para disa vitesh ka vlerën 7.94 miliardë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur një grafikon për mallin e kontrabanduar përgjatë viteve e që sipas tij, tri vjetëve të fundit është parandaluar.

Ai ka shkruar në Facebook se nga 2008-a e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove.

Sipas tij, nëse ky mall nuk do të lejohej si kontrabandë, por do të deklarohej i tëri siç bëhet tani, vetëm TVSH-ja e mbledhur do të arrinte në 1.4 miliardë euro.

Me këtë rast, ai i ka akuzuar qeverisjet e kaluara për vjedhje të buxhetit.

“Nëse në vitin 2015 importi i deklaruar në Doganë ka qenë 2.63 miliardë euro, gjasat janë që importi real ka qenë shumë më i lartë. Nëse e llogarisim me trendin e njëjtë sikurse në vitet 2021-2023, me 61% të BPV-së, importi real del të ketë qenë rreth 3.46 miliardë. Kjo nënkupton që malli që ka hyrë kontrabandë në vitin 2015 ka qenë rreth 0.83 miliardë (3.46-2.63), apo saktësisht 827 milionë euro, siç edhe mund të shihet te grafikoni me ngjyrë të gjelbër. Kur mblidhen të gjitha vitet nga 2008 e këtej, del se malli potencialisht i kontrabanduar sipas të dhënave të paraqitura në grafikon, kap vlerën e 7.94 miliardë eurove. Nëse ky mall nuk do të lejohej si kontrabandë, por do të deklarohej i tëri siç bëhet tani, vetëm TVSH-ja e mbledhur do të arrinte në 1.4 miliardë euro. E mos të flasim për tarifat doganore dhe akcizën, që me shumë gjasë një pjesë e madhe e këtij malli mund të ketë qenë mall akcizor”, ka thënë Murati. 

Sipas tij, në periudhën 2008-2011, vërehet se ka nivel relativisht të ulët të kontrabandës. Dhe pastaj në vitin 2012 ka pasur rritje e përnjëhershme.

“Në vitin 2013 pastaj ka kapërcim edhe më të madh të nivelit të kontrabandës. Kjo përkon saktësisht me marrëveshjen e Brukselit për formimin e asociacionit, dhe shtruarjen e rrugës që pjesa veriore e vendit të lihej si vrimë e zezë. Në këtë marrëveshje, përkundër këshillave nga partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës ishte dakorduar që ta shkatërronte parimin e Llogarisë së Vetme të Thesarit, duke pranuar që të hyrat nga pikat kufitare 1 dhe 31 të ndaheshin nga pjesa tjetër e buxhetit, dhe të dedikoheshin vetëm për 4 komunat e veriut të vendit. Kjo ishte planifikuar që të funksiononte si mekanizëm për financimin e asociacionit, por që në fakt u shndërrua në mekanizëm të zhvatjes e vjedhjes së buxhetit, sepse duke pasur kontroll të papenguar në pjesën veriore të vendit, strukturat kriminale atje, në bashkëpunim me strukturat kriminale në jug të lumit Ibër, e kthyen atë zonë në vrimë të zezë për ekonominë dhe buxhetin e vendit, duke zhvilluar kontrabandë, kultivuar drogë, e mihur kriptovaluta. E strukturat kriminale në veri liheshin të papenguara, sepse në fund të vitit 2014 Lista Serbe u bë pjesë e Qeverisë, dhe meqë qeveritë vareshin nga votat e tyre, Lista Serbe u bë faktor përcaktues për kastën e vjetër në politikën e vendit. Ky efekt vërehet edhe në grafikon, ku pas hyrjes së Listës Serbe në Qeveri, në vitin 2015 e këtej kemi rritjen e kontrabandës në nivele enorme”, ka shtuar ai.