Murati: Fokusi i masave antiCOVID është formalizimi i ekonomisë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka marrë pjesë në Konferencën e Parë Vjetore të Ministrisë së Financave të Maqedonisë Veriore “Rimëkëmbja Ekonomike dhe Rritja përtej COVID-it”. Sipas njoftimit të Ministrisë, i pari i dikasterit të financave aty diskutoi për ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Ai theksoi se pavarësisht goditjes së ekonomisë nga pandemia, me ndihmën e partnerëve tanë strategjik dhe politikave të mirëfillta publike, Kosova është duke u rimëkëmbur në hapa shumë më të shpejtë se sa që ishte e parashikuar nga indikatorët fillestarë.”

Tutje bëhet e ditur që Murati ka prezantuar masat që ka ndërmarrë Qeveria për të luftuar impaktin e pandemisë.

“Fokusi kryesor i këtyre masave është formalizimi i ekonomisë, fuqizimi i grave dhe të rinjëve në tregun e punës, rritja e prodhimit dhe rritja e mirëqenies sociale.”

Ndërsa prezent në panel ishin edhe homologët e të parit të dikasterit të financave nga vendet e rajonit, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera financiare shtetërore dhe ndërkombëtare.