Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka pranuar se Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) është duke pësuar humbje financiare.
Murati në një konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist të BSPK-së tha në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve për shkak të krizës në tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, ai tha se të rinjve do u rikuperohen humbjet, ku shpreson ata që janë në prag të pensionimit nuk do të preken nga këto rënie të investimeve.
“Duhet të sqarojë që në rastet kur ka investime në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve, të cilat janë luhatje të përkohshme dhe lëvizin. Ideja e investimeve afatgjate të fondeve të tilla në aksione të ndryshme apo fonde efektive është që të sigurohet një kthim mesatar në afatgjatë. Sepse dikush që është i moshës 30-vjeçare që kontribuon sot, pra nuk pret që t’i merr këtë vit apo vitin e ardhshëm mjetet. Ideja është si investim afatgjatë, në horizonte afatgjate mbi 30-vjeç, 40-vjeç që në momentin kur dilet në pension të sigurohet një pension i dinjitetshëm për shkak se ka pasur një kthim mesatar 7 apo 8 për qind vjetor”, tha Murati.
“Me sa e di së fundmi, personat që janë afër moshës së pensionimit që të mos ndikohen nga këto luhatje afatshkurta ka pasur një ndarje të portfolios. Që investimet e fondeve të atyre pensionistëve të investohen në letra me vlerë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Përkundër që janë rikuperuar rreth 60 milionë euro, ekspertë të ekonomisë alarmojnë se rëniet e konsideruara në Trust mund të thellohen edhe më tej për shkak të krizës financiare në tregjet ndërkombëtare.
Në Fondin prej mbi 2.2 miliardë eurosh janë mbi 700 mijë kontribuues të Kosovës.