Indikatorët kryesorë – tregues të gjendjes ekonomike të vendit – pikturuan në vazhdimësi krizë të paprecedentë ekonomike të vendit, nga inflacioni dyshifror, kryefjalë e krizës, i cili gërryu fuqinë blerëse të shtresave më të cenuara, e deri te ngadalësimi i rritjes ekonomike, e cila mbeti nën trendin para-pandemik të rritjes.
Mes një pikturimi të errët të gjendjes ekonomike në raportet ndërkombëtare, interpretimet përdredhëse nëpërmjet farkëtimeve shpërpjestuese morën përmasa serioze mes zyrtarëve të ekzekutivit. Rritja e punësimit, ecuria pozitive e ekonomisë dhe mbështetja për shtresat e cenuara ishin disa nga pretendim-arritjet që pushteti i promovoi me zell.
Pretendime të tilla binin ndesh me gravitetin e situatës; me vetëm një në pesë paga në Kosovë që konsiderohen si pagë jetese, apo faktin që plot 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte, ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.
Paradoksalisht, një nga treguesit më të drejtpërdrejtë të gjendjes së rëndë financiare te qindra mijëra familjeve në Kosovë po rezulton të jetë njoftimi i fundit i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, lidhur me “subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme”.
Sipas njoftimit të zotit Murati, rezulton se plotë 72 mijë familje kanë plotësuar kriterin e të hyrave deri në 600 euro me katër anëtarë.
Ajo që ministri Murati e njoftoi me mburrje pasoi me një sërë reagimesh në opinion. Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, komentoi mbi atë që ai e quajti “pranim nga Murati” të numrit masiv të qytetarëve me të hyra që nuk plotësojnë as për së afërmi nevojat e qytetarëve.
“Hekuran Murati e pranoi që janë 72 mijë familje 4 anëtarshe me të hyra deri në 600€. Këtyre ka me ua subvencionu qeveria një pjesë të shpenzimeve të rrymës. 288.000 qytetarë (rreth 20% e popullsisë) jetojnë me 5 euro në ditë ku përfshihen krejt shpenzimet. Me 5 euro mundesh me i ble 3 byrekë, 3 jogurta dhe 10 cigare. Për ilaçe, arsim, kontrolla mjekësore, transport, pushime, kafe, çaj, veshje paguan popullizmi.” – tha Molliqaj.
Postimit të Muratit i reagoi edhe gazetari Vehbi Kajtazi, i cili akuzoi atë për “demantim të vetvetes”.
“Shiheni qysh regjimi e dematon propaganden e vete. Çdo dite thone se eshte rritur mireqenia, a sipas te dhenave qe i publikojne vete, ne Kosove me rreth 1.6 milionbanore jane 72,000 familje qe e plotesojne kriterin “nje familje 4 anetareshe te ardhura mujore me pak se 600 euro”, shkroi Kajtazi.
Kujtojmë se në kulmin e pretendimeve të pushtetit për progres, një raport i fundit i Bankës Botërore shpërfaqi një tablo të zymtë të realitetit objektiv me shifra që – përkthyer në projeksione afatshkurtra – tregojnë se fenomeni i migrimit masiv të fuqisë punëtore të vendit, ka të ngjarë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sipas raporti, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Midis mesit të vitit 2023 dhe mesit të 2024, në rajon u krijuan 114,000 vende pune shtesë, nga të cilat Serbia pa përparimet nominale më të mëdha (48,400), e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (39,000).” – thuhet në raport.