Munishi thotë se Prishtina është në presion të rezultateve


Trajneri Ismet Munishi thotë se Prishtina është në presion të rezultateve. Ai ka thënë se Drenicën e shpëtoi portieri, meqë sipas tij, Prishtina krijoi 4-5 raste për shënim.

Por, megjithatë, Prishtina humbi ndeshjen e saj të dytë rresht në elitën e futbollit kosovar.

Pas disfatës nga Malisheva 2:1, Prishtina në “Fadil Vokrri” humbi 1:0 nga Drenica.

“Ishte një gol i hershëm, por nuk ishte gabim i lojtarit, pasi topi mori trajektore të çuditshme. Lojtarët dhanë 120 %. Lojtar i ndeshjes ishte portieri i Drenicës, i cili ishte në formë të mirë. Përgëzoj lojtarët e mi për karakterin e treguar dhe neve na mungoi vetëm goli. Kemi hyrë në presionin e rezultateve dhe kjo sigurisht se ka ndihmuar në lojën me Drenicën. Drenica është mbrojtur shumë mirë me dhjetë lojtarë në shumicën e kohës, derisa portieri priti disa gjuajtje. Edhe pse ishte mbrojtje e ngjeshur, ne krijuam 4-5 raste të pastra për gol. Është kampionat i vështirë, por nuk duhet të ndalemi dhe me një luftë të tillë mund të kthehemi te rezultatet pozitive”, ka thënë Munishi.