Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, është shprehur i sigurt se qeverinë e ardhshme do ta udhëheqë Partia Demokratike, teksa e konfirmoi se ai personalisht do të jetë në listë për deputet.
Ai foli edhe për mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, ku tha se PDK-ja dhe VV-ja janë në dy dimensione që asnjëherë nuk takohen.
“Nëse unë them se zgjedhjet e ardhshme janë referendum, dhe referendumin e mendoj që ta largojmë Vetëvendosjen nga qeveria, jo pse ia kemi inati kësaj partie por edhe Kurtit, por për dëmet që i ka bërë, mendoj që kjo e bën të qartë se ne dhe Vetëvendosje jemi në dy dimensione që asnjëherë nuk takohemi”.
“Nuk e them këtë që të bëjë lajm, nuk e them kundër Kurtit apo Vetëvendosjes, por nëse ne duam që ta rikthejmë vendin në binarë, dhe nëse vendi mendon se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje për një riorientim atlantik të vendit, unë nuk shoh ura të bashkëpunimit mes PDK-së dhe VV-së për shkak të politikave që i kemi, orientimeve dhe qasjes. Jo për shkak të së kaluarës, jo për shkak të ndonjë dallimi tjetër, por për shkak se jemi dy binarë që s’takohen asnjëherë”, tha Hoxhaj në “DPT te Fidani”, njofton Gazeta Stop.
Tutje, ai tha se si deputet, do ta ngrit dorën dhe do ta votojë vetëm një qeveri, atë qeveri të cilën tha se do ta udhëheqë Bedri Hamza.
“Nuk mundemi të bëjmë asgjë me Albin Kurtin si partner qeverisës. Unë e jap qëndrimin tim, ky është qëndrimi im”, tha ai.