Për shkak të situatës së krijuar nga COVID 19 dhe masave të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për ta luftuar atë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur që secili nga qytetarët tanë që futet në Republikën e Kosovës, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” apo kufijve tokësor, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, në një vend të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë thirrje që vetëm rastet, të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit. Gjithashtu, thirrjen e njëjtë ua bëjmë të gjithë qytetarëve, të cilët synojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës nëpërmjet rrugëve tokësore”, thekson njoftimi i MPJD-së.
Pandeminë COVID-19, sipas njoftimit, nuk do të mund ta luftojmë nëse nuk kemi bashkëpunimin e gjithsecilit.
“Prandaj, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj. Me kujdes, por pa panik”.