MPJ demanton Pacollin, thotë se s’i është anuluar leja për aterim në Prishtinë

Lidhur me lejen e fluturimit për Behgjet Pacollin, ka reaguar edhe shefi i kabinetit të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufcës, Kresnik Ahmeti.

Ahmeti thotë se është e pavërtetë që Pacollit i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës.

“Është e pavërtetë që deputetit të Kuvendit të Kosovës i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës. Por, është e pamundur që Qeveria aktuale të bëj diskriminim të shtetasve të saj. Megjithëse sistemi aktual ekonomik e pamundëson që të jemi të barabartë, prandaj dikush vjen me aeroplan privat e dikush me autobus, para ligjit të gjithë jemi të njëjtë dhe para se gjithash në kohë pandemie shëndeti publik ka rëndësi mbi të gjitha dhe rregullat e vendimet e organeve përkatëse shëndetësore duhet të respektohen. Pra, leje për aterim ka. Por, vullnet për trajtim të veçantë jo”, shkruan ai.