MPB: Pavarësisht orës, gazetarët dhe punonjësit tjerë medialë nuk pengohen

Ministria e Punëve të Brendshme ka rikonfirmuar se pavarësisht orës, gazetarët dhe punonjësit tjerë medialë nuk do të pengohen në kryerjen e detyrave të tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK thotë se ka pranuar shqetësime nga disa gazetarë se nga dita e enjte do të gjobiten njëjtë si qytetarët e tjerë nëse shkelin orarin e lëvizjes së lirë.

Në lidhje me këtë, AGK thotë se menjëherë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila ka bërë të ditur se nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin për lejimin e lëvizjes për gazetarët dhe punonjësit medial.

Në përgjigjen drejtuar AGK-së, MPB-ja ka bërë të qartë se për lëvizjen e gazetarëve dhe punonjësve medial vlejnë rregullat e deritanishme

“Ju njoftojmë se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, vlejnë rregullat e deritanishme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

AGK u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe punonjësve të tjerë medial që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional.