Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, në një konferencë për media ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publikë kishte mungesë ambicie për të reformuar administratën publike.
Duke përmendur edhe Ligjin për Paga, ai ka thënë se synojnë që ta rregullojnë Administratën Shtetërore.
Dobra tregoi se nga diskutimet publike të këtyre dy projektligjeve kanë dalë dhjetëra komente. Theksoi se po arrihet synimi i Qeverisë që të sillet transparencë dhe llogaridhënie.
“Kemi pranuar komente nga rreth 50 institucione për Ligjin për Zyrtarë Publikë. Kurse për Ligjin për Paga kemi pranuar komente nga rreth 80 institucione dhe më pak qytetarë pasi nuk preken direkt. Po i trajtojmë me seriozitet që ligji të jetë i mirë. Që nga viti 2012 ky është viti i parë që në raportin e progresit nuk përmendet njolla e zezë e ndërhyrjeve politike në administratë publike”, tha ai.
Ndërkohë, Dobra ka folur për planet për plotësimin e ligjit.
“Për herë të parë rekrutimet do të digjitalizohen tërësisht, do eliminohen ndërhyrjet në rekrutime sepse algoritmet do përzgjedhin pyetjet kur kandidatë hyjnë në testim dhe jo sikur ka ndodhur që janë shpërndarë pyetjet. Do krijojmë kushte që gratë të kenë mundësi të rekrutohen në shërbimin civil, të kandidojnë dhe të fitojnë pozita menaxheriale sepse sot kemi administratë tërësisht të dominuar nga burrat”, tha ai.