Trajneri portugez i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka thënë se është e dhimbshme të shoh rifillimin e futbollit elitar te shtetet tjera, ndërsa Premier League e Anglisë mbetet e pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19.
Bundesliga e Gjermanisë ka rifilluar më 16 maj, duke u bërë liga e parë e madhe e futbollit që ka rifilluar pas pauzës së detyrueshme shkaku i koronavirusit, ndërkohë ligat në Portugali e Spanjë po ashtu po i afrohen rifillimit.
Futbolli profesionist në Angli është pezulluar që nga mesi i marsit, por klubet të mërkurën kanë votuar unanimisht që t’i kthehen stërvitjeve të kontaktit, duke u bërë kështu hapi i dytë në “Projektin Rifillimi”. Po shpresohet të rifillohet me ndeshje pa shikues në qershor.
“Është e vështirë të shohësh se në shtetet tjera po luhet futboll e te ne jo”, ka thënë Mourinho për “Sky Sports”. “Unë gjithmonë mundohem t’i bëjë lojtarët të duan periudhën e Krishtlindjeve ku, në vend se të jemi të pikëlluar, ne gjithmonë jemi të lumtur t’u ofrojmë njerëzve atë çfarë duan gjatë periudhës ku askush tjetër nuk luan futboll. Për momentin, po e kemi ndjenjën e kundërt. Ne duam të luajmë, por sigurisht jemi të respektueshëm ndaj autoriteteve, kemi besim në ato që thonë dhe do të ndjekim vendimet”.