Moti gjatë kësaj jave, me diell dhe reshje shiu


Instituti Hidrometerologjik i Kosovës  ka bërë të ditur se fushat me presion të ulët të cilat kanë përfshirë vendin, do të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe për gjatë kësaj jave, duke ndikuar të kemi një mot të ndryshueshëm.

Pjesët e para të ditës, zakonisht fillojnë me rreze dielli, por gjatë ditës rrezet e diellit do të zëvendësohen me vranësira reshje shiu dhe shkarkime elektrike.

Për shkak të gjendjes së lartë termike që ishte në mesjavë dhe proceseve tjera termodinamike në troposferë, rrezikohen disa zona të izoluar me reshje breshëri.

Sa i përket temperaturave, ato mbesin në vlera të njëjta me këto të fundit, duke i ruajtur mesataret e viteve tjera të muajit gushtë.

Kjo situatë meteorologjike do të ndikoj pozitivisht në kushtet biometeorologjike, hidrologjike dhe atyre agrometeorologjike, meqë mungesa e reshjeve është prezent kohëve të fundit.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 23-29 gradë Celsius.

Indeksi UV mbetet në vlerat e mesatareve. Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit e lehtë dhe lokalishtë e fortë.