Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se deri në fundjavë pritet të ketë mot të ngjashëm e të ftohtë.
“Edhe pse gjatë ndërrimit të stinëve shpesh herë kemi çrregullime në troposferë, një gjë e tillë nuk parashihet të ndodhë deri në fundjavë. Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale kohore me diell. Në fundjavë pritet të ketë kushte tjera meteorologjike, vranësira të dendura të cilat parashihen të sjellin reshje bore”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Kjo situatë e krijuar do të ndikoj në rënien e temperaturave minimale deri -6, -7 gradë Celsius.
“Sa i përket temperaturave maksimale ato vazhdojnë të mbeten mbi vlerat e normales për pesë ditë të ardhshme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-10 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-8 m/s”, njofton IHMK-ja.