Mosekzekutimi i pagave – protestojnë sot punëtorët e QKMF-së në Prishtinë

Shoqata Sindikale e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka bërë të ditur se të premten do të mbajë protestë para QKMF-së.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet si shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

“Kryesia e Shoqatës Sindikale të QKMF- Prishtinë ju njofton se sot do të mbahet protestë 15-minutëshe para QKMF-Prishtinë, nga ora 09:30-09-45 si shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave te punëtorëve shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

Ai ka thënë se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka thënë Murati.

Greva e përgjithshme e punëtorëve të sektorit publik ka nisur më 25 gusht. Punëtorët po kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave i cili sipas Qeverisë, së shpejti pritet të vihet në diskutim publik.