Një fëmijë nëntëvjeçar është rrahur në mënyrë çnjerëzore nga nëna e tij. 41-vjeçarja nga fshati Serbobran i Komunës së Istogut është arrestuar nga ana e Policisë për trajtimin që i ka bërë fëmijës së saj. Por cila është historia e kësaj gruaje?
Me kabllo elektrike kishte ushtruar dhunë ndaj djalit të saj 9 vjeç. 41-vjeçarja nga Istogu, e vetme po e rriste djalin. Por, ndaj tij ajo qe një kohë po ushtronte dhunë.
I gjithë trupi i nëntëvjeçarit kishte qenë me shenja të dhunës të shkaktuara nga grushtet por edhe nga kablloja elektrike. E këto shenja i mituri i kishte marrë nga nëna e tij.
Detaje për këtë rast kanë dhënë për Express, zyrtarë të Policisë së Kosovës për rajonin e Istogut.
Enver Gashi, komandant i stacionit policor të Istogut, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së mërkurë të 22 shtatorit.
“Rasti ka ndodhur me datë 22.09.2020, rreth orës 18:00 në fshatin Serbobran të Istogut. Rasti po trajtohet për veprën ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Rasti është duke u hetuar nga njësiti i hetimeve nga zyrtarët për dhunë në familje”, ka deklaruar Gashi për Express.
Ai ka shpjeguar se e dyshuara ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit të saj 9-vjeçar.
“E dyshuara Sh.H., e lindur më 1979, u arrestua dje nga ana e Policisë së Kosovës. Me urdhër të prokurorit ajo u dërgua në mbajtje për 48 orë. Policia për këtë rast ka pranuar informatën se e dyshuara ka keqtrajtuar djalin e saj. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor. Sipas raportit të mjekut vërehet se i mituri ka shenja të dhunës”, sqaron Gashi.
E ndërkohë, i mituri tashmë gjendet në një shtëpi të sigurt si dhe rasti përveç policisë po përcillet edhe nga ana e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Por e dyshuara për këtë rast, 41-vjeçarja është e njohur për zyrtarët e Policisë së Kosovës. Ajo vetë ishte rritur në një strehimore. Djalin e saj 9-vjeçari po e rriste e vetme. Por ajo ka edhe disa fëmijë të tjerë, të cilët i ka braktisur.
Prokurori i krimeve të rënda ka marrë vendim që e dyshuara të ndalohet për 48 orë.
Po ashtu, bëhet e ditur se është intervistuar edhe dëshmitarja e rastit e cila ka thënë se gruaja ka ushtruar dhunë vazhdimisht ndaj fëmijës.