Penallti, gola, karton i kuq dhe spektakël në stadiumin “Louiss II” të Monacos, teksa në fund skuadra nga principata franceze ia doli të triumfojë 3-2 me përmbysje ndaj kryeqytetasve të Paris Saint Germain.
Kampionët në fuqi të Francës e nisën vrullshëm sfidën dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 23-të, kur një ish si Kylian Mbappe shfrytëzoi në maksimum një asist të Angel Di Marias dhe dërgoi topin në rrjetë. Në minutën e 37’, kryeqytetasit fituan një penallti, të cilën e ekzekutoi saktë Mbappe dhe dërgoi shifrat në 0-2. Deri në fundin e pjesës së parë, PSG shënoi edhe dy herë të tjera me Moise Kean e Mbappe, por golat u anuluan për pozicion jashtë loje.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e dyfishtë të parizienëve, që dukej se do të merrnin një 3-pikësh pa shumë vuajtje, por trajneri Niko Kovaç hodhi në fushë Cesc Fabregas dhe loja e Monacos ndryshoi menjëherë. Sulmuesi 28-vjeçar gjerman Kevin Volland iu kundërpërgjigj menjëherë francezit Mbappe, duke shënuar dy herë në portën e Keilor Navas dhe duke rikthyer baraspeshën, ndërsa momenti vendimtat u regjistrua në minutën e 83-të.
Arbitri kryesor Clement Turpin akordoi penallti për Monacon dhe karton të kuq për mbrojtësin Abdou Diallo, i cili djallosi gjithçka dhe më pas u detyrua të bëjë faull brenda zonës. Nga pika e penalltisë shkoi veterani spanjoll Cesc Fabregas, që ekzekutoi saktë dhe dërgoi topin nē rrjetë për herë të tretë, ndërsa Keilor Navas kuptoi krahun, por e pati të pamundur të presë sferën.
Vërshëllima finale e arbitrit Turpin la në fuqi fitoren 3-2 të Monacos që ngjitet kështu në vendin e dytë me 20 pikë, ndërsa PSG mbetet në krye me 24 pikë më 11 javë.