“Do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.
Kështu thuhet në reagimin e organizatës më të madhe ushtarake në botë.
NATO bën me dije se i ka dërguar në Rumani Forcat e Reagimit.
Njëherit thuhet se kjo është hera e parë që aktivizohet kjo forcë.
“Njësitet e Forcës së Reagimit të NATO-s arritën në Rumani të hënën dhe të martën, për të përforcuar pozicionin e mbrojtjes së Aleancës në pjesët lindore. 500 trupa franceze janë mbledhur në Istres të Francës jugore, përpara se të zbarkonin në Rumani”.
Aleanca Veriatlantike thekson se ky mobilizim vjen pas krizës e cila po mbizotëron në Ukrainë.
Këtë e ka mirëpritur edhe sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.
“Gjatë javëve të kaluara, ne kemi rritur prezencën në pjesët lindore të Aleancës dhe tani, për herë të parë në histori jemi duke zbarkuar edhe Forcën e Reagimit të NATO-s. Trupat franceze kanë arritur në Rumani si element udhëheqës i kësaj force. Përkushtimi ynë ndaj Nenit 5, për mbrojtjen kolektive, është i hekurt. Do ta mbrojmë secilën pëllëmbë të territorit të NATO-s”.