Shqipe Mjekiqi, ka njoftuar se të martën ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ajo tregoi se mundësinë për të shërbyer në strukturat e larta të LDK-së e ka marrë si besim dhe konfirmim për vullnetin e mirë drejt ndryshimeve thelbësore.
Një nga arsyet për këtë dorëheqje sipas Mjekiqit, ishte edhe mungesa e hapësirës për të kontribuuar brenda LDK-së së Lumir Abdixhikut, raporton Paparaci.
Mjekiqi po ashtu tha se kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që mbarte mbi supe.
Në anën tjetër, ajo ka falënderuar për mbështetje nënkryetarët e tjerë dhe anëtarët e kryesisë së LDK-së, por jo edhe kryetarin e këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.
Gjithashtu, Mjekiqi shtoi se do të vazhdojë të jetë me qenies saj në themelet e LDK-së.
“Fatkeqësisht, hapsira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses. Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi ajo në Facebook.
“Falënderoj nënkryetarët tjerë, anëtarët e Kryesisë si dhe gjithë strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen. Poashtu, falënderoj familjen time dhe miqtë e shumtë pa përkrahjen e të cilëve ky rrugëtim, sado i shkurtër, do të ishte i pamundshëm”, shtoi Mjekiqi.