Mishi i kuq përpunuar rrit rrezikun nga demenca

Mishi i kuq i përpunuar, siç janë salsiçet, mishrat e ftohta dhe hot-dogët, kanë lidhje me shumë probleme shëndetësore. Së fundmi, një studim ka zbuluar se konsumimi i tepërt i mishit të kuq mund ta dëmtojë edhe trurin.

Në një studim të botuar në revistën Neurology, doktori Daniel Wang, profesor i mjekësisë në Harvard dhe ekipi i tij, raportuan se njerëzit që konsumojnë më shumë mish të kuq të përpunuar kishin 14% më shumë rrezik të zhvillonin demencë gjatë një periudhe mbi katër dekada, krahasuar me ata që konsumonin sasi minimale të këtij mishi, shkruan “Time”.

Studimi analizoi të dhënat nga më shumë se 130,000 profesionistë shëndetësorë të regjistruar në dy studime të mëdha: “Nurses’ Health Study” dhe “Health Professionals Follow-Up Study”. Çdo dy deri në katër vjet, pjesëmarrësit plotësuan anketa të detajuara ushqimore, duke përfshirë mbi 150 produkte ushqimore. Po ashtu, u mblodhën të dhëna shëndetësore për diagnozat e demencës dhe pyetje të shkurtra mbi kujtesën e individëve.

“Bazuar në këto të dhëna, ne shohim se nëse njerëzit konsumojnë më shumë mish të kuq të përpunuar, ata kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të demencës dhe funksion kognitiv më të dobët”, ka thënë Wang.

Shkencëtarët kanë vënë re rritje të rrezikut të këtyre problemeve me çdo konsum të mishit të kuq të përpunuar, dhe ky rrezik vazhdoi të rritet më shumë sa më shumë mish të konsumonin njerëzit.

Rreziku i rritur prej 14% për demencë ishte kufiri më i lartë.

Nuk kishte nevojë për shumë mish për të arritur këtë kufi. 

Ky rrezik i rritur për 14% për demencë ishte i lidhur me ata që hanin të paktën një çerek pjate me mish të kuq të përpunuar në ditë njësoj me dy feta proshutë, një fetë e gjysmë mish të llojit bologna ose një salsiçe, krahasuar me ata që hanin më pak se një të dhjetën e një pjate (më pak se një fetë proshutë) çdo ditë.

Wang ka thënë se ka ndërmend të vazhdojë studimin e këtyre grupeve për të kuptuar më mirë se si mishi i kuq i përpunuar ndikon në tru dhe në demencë. 

Një teori është se mishi i përpunuar, për shkak të yndyrave të ngopura dhe natriumit të lartë, mund ta rrisë rrezikun e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës, pjesërisht duke rritur presionin e gjakut dhe kështu dëmton edhe trurin.

Një tjetër teori është se disa nga bashkësitë që trupi krijon kur përpunon mishin e kuq të përpunuar mund ta rrisin rrezikun e demencës. Në laborator, disa prej këtyre bashkësive shkaktojnë grumbullimin e proteinës amiloide, që është një shenjë dalluese e sëmundjes së Alzheimerit. 
Përfundimisht, nitratet e gjetura në mishrat e përpunuar mund të dëmtojnë ADN-në, duke dëmtuar qelizat e trurit.

Studiuesit e mëparshëm kanë pasur rezultate të paqarta lidhur me lidhjen mes mishit të kuq të përpunuar dhe demencës. Disa e kanë gjetur lidhjen, ndërsa të tjerë jo. 

Wang ka thënë se këto studime ishin më të vogla dhe kanë ndjekur individët për periudha më të shkurtra, pa vlerësuar dietën e njerëzve më shumë se një herë. 

“Ekipit jonë kap ndryshimet në konsumimin e ushqimeve gjatë ndjekjes për dekada, që është forca e studimit tonë”, ka shtuar ai.

Të dhënat e detajuara ushqimore gjithashtu u kanë  mundësuar atyre të vlerësojnë se çfarë efekti mund të ketë zëvendësimi i mishit të kuq në rrezikun për demencë. Zëvendësimi i një pjate në ditë me mish të kuq të përpunuar me arra ose bishtajore çoi në rrezik 19% më të ulët për demencë gjatë periudhës së studimit. Po ashtu, zëvendësimi i mishit të kuq me peshk ishte i lidhur me rrezik  28% më të ulët për demencë. Konsumi i pulës në vend të mishit të kuq për një pjatë të vetme në ditë çoi në një rrezik 16% më të ulët për demencë.

Të dhënat gjithashtu lejuan ekipin e Wangut t’i krahasojë ata që konsumonin më shumë mish të kuq të përpunuar me ata që konsumonin më shumë mish të kuq të papërpunuar.

Ata që konsumonin më shumë mish të kuq të papërpunuar kishin rrezik pak më të lartë të demencës krahasuar me ata që konsumonin sasi minimale, por kjo lidhje nuk ishte statistikisht e rëndësishme.
Megjithatë, në shkallën që mat funksionin kognitiv të individëve, ata që konsumonin më shumë mish të kuq të papërpunuar kishin një rrezik 16% më të lartë të problemeve me kujtesën se ata që konsumonin më pak. Ky vlerësim subjektiv përfshinte gjashtë deri shtatë pyetje “po ose jo”, duke përfshirë nëse ata kishin më shumë vështirësi të kujtonin emrat e miqve të ngushtë gjatë vitit të kaluar krahasuar me vitin paraprak, ose nëse kishin pasur probleme për të gjetur shtëpinë gjatë vitit të kaluar.

Wang ka theksuar se ky vlerësim subjektiv është “shumë i ndieshëm”,  shpesh duke zbuluar shenja të rënies kognitive më herët se testet më standarde. Ai ka thënë se ka ndërmend të vazhdojë të ndjekë këto grupe për të parë nëse këto vlerësime subjektive të problemeve me kujtesën çojnë në më shumë gjetje për demencën në testet standarde me kalimin e kohës.

“Mesazhi kryesor është që nëse mund të kufizoni konsumimin e mishit të kuq, atëherë bëjeni. Nëse e ulni edhe pak, kjo do t’ju japë përfitime për shëndetin kognitiv. Dhe nëse e bëni më herët, aq më mire”, ka thënë Wang.