Kuvendi i Republikës së Kosovës me shumicë votash ka miratuar sot Projektligjin nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Me këtë ligj synohet luftimi i pandemisë dhe imunizimi i popullatës, me fokus të veçantë adresimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Buxheti i rishikuar për vitin 2021 është rreth 2.5 miliardë euro, ndërsa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Ky është njëherit edhe buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri më tani, përkundër problemeve gjatë këtyre dy viteve si pasojë e pandemisë Covid-19.
Me Rishikimin e Buxhetit për vitin 2021, shkalla nominale e rritjes ekonomike është 7.9% kurse të ardhurat e buxhetit janë rishikuar me ngritje rreth 150 milionë euro. Poashtu, në këtë Rishikimi të Buxhetit është përfshirë edhe Pakoja e Ringjalljes Ekonomike në shumën prej 420 milionë euro. Kjo pako përmban pesë grupe të masave të përqëndruara në rritjen e punësimit dhe riorientimin e kapitalit drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.