Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka kaluar projektligji për rimëkëmbje ekonomike.
Me këtë projektligj parashihet që qytetarët t’i tërheqin 10 për qind nga fondi i trustit pensional.
Ky projektligj tashme pritet të dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se përmes këtij projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.
Sipas Bajramit, përmes plotësimeve të bëra qytetarëve te Kosovës do t’iu mundësohet tërheqja e kursimeve prej 10 përqind nga Trusti pensional.
Në anën tjetër, projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike kryeministri Hoti e cilësoi kryesor për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
E Bajrami, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hoti ka saktësuar se pas miratimit të projektligjit në Kuvend, qytetarët do t’i kenë katër muaj në dispozicion për tërheqjen e këtyre kursimeve. Ajo ka shtuar se përpos prioritetit të dhënë në rishikim të buxhetit, “ne masat i kemi parë në këtë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”.
“Me këtë projektligj janë plotësuar e ndryshuar disa ligje. Këto nene do të jenë në fuqi përkohësisht që nënkupton se do të jenë në fuqi deri në dhjetor të vitit 2021. Kemi paraparë ndryshim-plotësimin e ligjit për fondet pensionale. Përfundimisht do të mundësohet ajo tërheqja, ne mendojmë që menjëherë pas aprovimit të ligjit”, ka thënë ajo.