Miratohet Projektligji për Qeverinë e Kosovës


Projektligji për Qeverinë e Kosovës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës tha se ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën, ku procesi i hartimit ka përfshirë hulumtime e konsultime të gjera.

“Nevoja për nxjerrjen e këtij Projektligji, konsiston me mbulimin e fushës së organizimit dhe funksionimit të Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes, i vendos parimet udhëheqëse të Qeverisë si pushtet ekzekutiv, me parimin e respektimit të ligjit, përgjegjshmërisë, transparencës, barazisë gjinore si dhe nga parimi i efikasitetit”, theksoi Kurti gjatë mbledhjes.

Siç tha Kurti, Projektligji për Qeverinë e Kosovës përcakton përbërjen, mandatin, kompetencat e Qeverisë dhe anëtarëve të saj, si dhe definon kompetencat dhe kufizimet e Qeverisë në dorëheqje.

“Me këtë Ligj përcaktohet përgjegjshmëria papajtueshmëria me funksionin e anëtarit të Qeverisë si dhe transparenca e punës së Qeverisë. Ky Projektligj është në përputhje të plotë me Kushtetutën, i përgatitur nga Zyra e Kryeministrit me një [proces hartimi që ka përfshirë hulumtime dhe konsultime të gjera, ku janë dhënë komente nga institucione të ndryshme, e nga organizata të shoqërisë civile si dhe është dhënë opinion nga Komisioni i Venecias”, u shpreh Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se në lidhje me këtë projektligj është dhënë edhe mendimi i Komisionit të Venecias.

“Ndër vite kemi pasur Qeveri të ndryshme, por asnjëherë një ligj për të. Kishte Qeveri që sponzorizonin Ligje, por vet nuk e kishin një të tillë. Tash ne Qeverinë, por edhe Ligjin për punën e kompetencën po i kompletojmë”, tha Kurti.

Ndryshe, sot Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt të saj ka miratuar Projekt-Kodin Civil të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike si dhe Projekt-ligjin për byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar edhe Projektligjin për Qeverinë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është me rëndësi që sistemit juridik t’i shtohet edhe byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Siç tha ministrja e Drejtësisë, Byroja do të jetë institucion i pavarur dhe do i japë llogari Kuvendit.