Miratohet përforcuesi i Pfizer për adoleshentët mbi moshën 12 vjeç

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka miratuar vaksinat përforcuese të Pfizer, për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Me këtë vendim është shënuar hapi i fundit nga qeveria amerikane për të marrë dritën jeshile për më shumë doza vaksinash për amerikanët e rinj.

Sipas FDA-së, individët të cilët janë mbi moshën 12 vjeç e që kualifikohen për dozën përforcuese, mund ta marrin atë pesë muaj pas dozës së fundit, raporton Politico.

FDA citoi studime laboratorike që sugjerojnë se përforcuesit përmirësojnë reagimin e antitrupave të individëve ndaj variantit Omicron, si dhe të dhënat e miliona qytetarëve izraelitë 16 vjeç e lart që morën përforcues pas të paktën pesë muajsh.

Agjenci, gjithashtu do të lejojë disa fëmijë me imunitet më të dobët, deri në moshën pesë-vjeçare të marrin një dozë shtesë.

Vendimet vijnë pasi varianti më shpejt i transmetueshëm i COVID-19, Omicron, kërcënon të ndikojë në jetën e përditshme.

Komisionerja e FDA-së, Janet Woodcock, tha në një deklaratë se është i nevojshëm vaksinimi me dy dozat dhe përforcuesit në luftimin ndaj COVID-19.

“Me valën aktuale të variantit Omicron, është kritike që ne të vazhdojmë të marrim masa parandaluese efektive, jetëshpëtuese, si vaksinimi primar dhe përforcuesit, vendosja e maskave dhe distancimi social në mënyrë që të luftojmë në mënyrë efektive COVID-19”, tha Woodcock.