Kuvendi i Kosovës miratoi sot Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike erdhi pas pajtimit të Qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë Projektligj.
Ata që kanë më shumë se 10 mijë nuk do të rimbursohen, madje do të kontribuojnë edhe që të rimbursohet grupi tjetër, meqë paratë do të dalin nga buxheti, ku kontribuojnë të gjithë.
Fillimisht kishte dalë si propozim që të gjithë të rimbursohen, por ministrja Hykmete Bajrami, kishte thënë se kjo shkakton pabarazi sociale dhe se është shkelje kushtetuese.
E këtë amendament të propozuar nga PDK-ja, kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi “pasurim” të pakos së rimëkëmbjes.
Amendamentet tjera të PDK-së të përfshira në këtë ligj është edhe: Pakoja për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.
Projektligji është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021.
Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, Projektligji parasheh ndryshime në TVSH e tatime në të ardhura për korporata. Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër identifikues të fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare.