Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj Stublla ka zhvilluar mbrëmë një takim bileateral me Robert Greenway, Zëvendës-Asistent i Presidentit dhe Drejtor i Lartë për Çështje të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë së SHBA-ve.
Shefja e diplomacisë ka thënë se me Greenway ndër të tjera, kanë biseduar për marrëveshjen e arritur në SHBA dhe impementimin e saj.
“Në kuadër të vizitës së delegacionit të lartë amerikan, udhëhequr nga i Deleguari Presidencial për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell – kisha kënaqësinë ta takoj në një takim ndaras bilateral Robert Greenway, Zëvendës-Asistent i Presidentit dhe Drejtor i Lartë për Çështje të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë së SHBA-ve, me të cilin biseduam për marrëveshjen historike të arritur në Uashington me 4 shtator, dhe rrugën përpara për implementimin e saj”, është shprehur Haradinaj Stublla.
Ministrja Haradinaj ka thënë se me theks të veqantë kanë diskutuar për formalizimin e njohjes nga Izraeli si dhe rreshtimin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit.
“Diskutuam në veçanti pikat e marrëveshjes që bien në përgjegjësinë direkte të fushëveprimit të MPJD-së, specifikisht formalizimin e njohjes së ndërsjellë me Izraelin, dhe në rreshtimin e Kosovës në luftën e pakompromis kundër terrorizmit”, është shprehur Haradinaj Stublla.
Shefja e diplomacisë i ka bërë të ditur Greenway se Kosova është e përkushtuar që ta përmbush marrëveshjen e arritur në Washington.