Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, duke folur për pakon emergjente, ka thënë se kanë ardhë shumë vërejtje në adresë të këtij institucioni për mos implementim e masave të kësaj pakoje.
“Me lejoni të ju njoftoj se Ministria e Financave ka gjetë burime financiare për implementim të të gjitha masave të pakos paraprake dhe për masat e reja për rimëkëmbje ekonomike POR këto mjete financiare mund të shpenzohen vetëm pasi të kalojë rishikimi i Buxhetit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo tregon se sipas rregulloreve, Ministria e Financave nuk është përgjegjëse për aprovim të aplikacioneve/kërkesave.
“Sipas rregullores së re të Qeverisë së Republikës së Kosovës Ministria e Financave nuk është përgjegjëse për aprovim të aplikacioneve/kërkesave. Për aprovim të aplikacioneve për të gjitha masat që kanë të bëjnë me masat për sektorin privat janë komisioni ndërinstitucional, i cili e ka përfunduar punën e tij në plotëni, është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për aprovim final të listave dhe te Ministria e Financave thjeshtë vjen kërkesa për ekzekutim e cila Thesarit i merr vetëm disa orë për ekzekutim”, ka shkruar ministrja Hykmete Bajrami.
Sipas saj, implementimi i masave është peng i votimit të rishikimit të Buxhetit në Kuvend.