Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, thotë se ka autorizuar menaxhmentin e Trustit për tu bërë gati që të mundësohet tërheqja e 10 përqindshit të pensioneve nga qytetarët.
Megjithatë, sipas saj ende ka edhe një kusht që duhet të arrihet, përcjell Buletini Ekonomik.
“Ligji duhet të kaloj në Kuvend në lexim të dytë. Për momentin mos miratimi i ligjit është e vetjma pengesë. Afate kohore nuk mund të japim, sepse nuk varet nga ne. MF ka kërkuar që Trusti të bëjë të gjitha përgatitjet, që terheqja të filloj menjëherë pas aprovimit të Ligjit”, thotë Bajrami.
Ndryshe, sapo të hyjë në fuqi ndryshimet ligjore, do t’i hapet rruga mundësisë që secili kontributdhënës t’i tërheq 10 për qind të kursimeve nga Trusti.
Por jo të gjithë qytetarët do të përfitojnë vërtetë nga kjo mundësi.
Gjysma e kontributpaguesve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera.
Rreth 27% e kontributpaguesve apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro.
10% e kontributpaguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro.
7% e kontributpaguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime.