Zëdhënësi i Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti deklaroi se situata e COVID-19 në vend është serioze. Sipas tij duhet të rishikohen edhe njëherë masat e marra nga qeveria në këtë kohë pandemie, pasi është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve dhe viktimave.
“Në Kosovë situata sa i përket COVID-19 reflekton të jetë tepër serioze, me një ngarkesë të kapaciteteve spitalore, më një numër të lartë të atyre që rezultojnë të pozitiv në COVID, me një parashikim që do kemi edhe për një kohë të gjatë shifra të tilla, që duhen menaxhuar. Do të kërkojnë një rishikim të masave dhe të shohim se cilat kanë qenë edhe efektet e masave të marra deri më tani. Mbetet ende shqetësim numri i rasteve pozitive dhe për ne është shqetësim numri i atyre që përfundojnë me fatalitet”, tha Hoti për Euronews Albania.
Hoti nënvizoi se deri më tani është përballuar fluksi i të infektuarve në spitale.
“Po të jemi korrekt, ne e kemi parashikuar që në këtë kohë do të ketë një rritje të rasteve pozitive. Deri më tani e kemi përballuar fluksin, me të gjithë ngarkesat. Rreth 1/3 e rasteve trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe klinikat e saj, ndërsa 2/3 trajtohen në 7 spitalet rajonale. Kemi një gjendje të ngarkuar, por deri më tani është menaxhuar”, deklaroi Hoti.
Përgjatë ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar masat e reja për komunat e Kosovës, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë.
Në zonën e kuqe do bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë apo komunat me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në zonën e verdhë do bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në zonën e gjelbër do bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Masat e lartpërmendura janë futur në fuqi nga sonte.