Ministria e Shëndetësisë pret numër të lartë infektimesh me COVID-19 edhe për disa javë


Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se situata me numra të lartë infektimesh me COVID-19 pritet të vazhdojë edhe për disa javë, për shkak të shpërndarjes së shpejt të variantit Omicron.

Megjithatë, Hoti thotë se numri i hospitalizuarve dhe numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet deri tani është i ulët, prandaj sipas tij, nuk ka nevojë për panik, porse qytetarë nuk duhet ta neglizhojnë Omicronin.

“Situata epidemiologjike është aktualisht brenda parashikimeve të bëra më herët. E kemi ditur që varianti Omicron do ta rrisë numrin e infektimeve. Por ne duhet t’iu kushtojmë rëndësi dy indikatorëve, numrit të hospitalizuarve dhe numrit të rasteve që përfundojnë me fatalitet. Në dy indikatorët, ne e kemi situatën relativisht të mirë. Ditëve në vijim do të ketë shtim të rasteve, mirëpo nuk jemi në parametra që duhet të krijojmë panik. Duhet bëhet kujdes i shtuar, duhet të vaksinohemi. Është një situatë serioze, qytetarët nuk duhet ta neglizhojnë variantin Omicron, nuk është një grip i zakonshëm. Vaksinimi duhet të ketë një dinamik të shtuar, si arma e vetme për ta luftuar këtë virus. Përhapja e Omicronit ka ardhur me një shpërndarje të lartë, si në çdo vend tjetër. Nuk ka qenë diçka që mund të parandalohet. Në kohën kur s’patëm raste të shumta, shfrytëzuam kohën për ta rritur numrin e vaksinuarve. Me gjasë, kjo gjendje e të infektuarve do të vazhdojë edhe për disa javë. E rëndësishme që të kemi resurse spitalore për t’iu përgjigjur nevojave qytetare”, ka thënë Hoti në “60 minuta” të KTV-së.

Hoti shtoi se masat e reja anti-COVID, që pritet të miratohen sot nga Qeveria, do të japin efekt pas një kohë dhe presin që situata të stabilizohet.

“Në masat e reja, hyrja në Kosovë do të lejohet për ata që i kanë tre doza të vaksinës. Ata me dy doza, duhet të kenë test PCR negativ të kryer brenda 48 orëve të fundit. Ata që nuk janë të vaksinuar duhet të dëshmojnë se nuk kanë marrë vaksinën për efekte mjekësore, por iu duhet një test PCR negativ. Nuk do të ketë pjesëmarrje të njerëzve për ngushëllime. Por masat e tërësishme do të bëhen publike kur të miratohen nga Qeveria. Ne presim që të stabilizohet situata epidemiologjike, mirëpo pas një kohe këto masa do të japin efekt. Këto masa do të vlejnë deri më 4 shkurt, pastaj do të mblidhet Komiteti për të parë nëse ka nevojë për t’i shtrënguar apo liruar disa nga masat. Mbikëqyrja për zbatimin e këtyre masave duhet të jetë me e rreptë”, deklaroi Hoti.