Ministria e Shëndetësisë, nuk jep detaje për vdekjet nga COVID-19, bën thirrje të priten hetimet

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje për vdekjen e pacientëve në Klinikën Infektive në orët e para të së dielës. Madje nuk ka treguar as për numrin e saktë të pacienteve që humben jetë. Përmes një reagimi për media, MSH-ja ka bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.

Në mëngjesin e së dielës, Klinika Infektive u rrethua me policë si pasojë e dyshimeve për vdekjen e pacientëve. MSH-ja ka thënë se dyshimet janë ngritur për shkak se vdekjet ndodhën brenda një afati të shkurtër kohor.

Tutje në reagim theksohet se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga koronavirusi është rritur ndjeshëm javët e fundit. Sipas MSH-së, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rritur kapacitete e saja të Mjekimit Intensiv.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës shprehin keqardhje me rastin e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me Covid-19, në orët e para të mëngjesit të ditës e diele, 5 korrik 2020.

Për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.

Ajo çka SHSKUK mund të konfirmojë deri në këto momente është se të gjithë ketë pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të dignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK.

Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakoshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore.

SHSKUK konfirmon se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19 është rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa QKUK ka rritur kapacitetet e saja të Mjekimit Intensiv, me qëllim të trajtimit të të gjithë pacientëve të spitalizuar, pavarësisht ngarkesave të mëdha.

MSh dhe SHSKUK i ngushëllojnë familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19