Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas raportimeve se Pfizer ka demantuar faktin se Kosova ka nënshkruar marrëveshje për mbi 500 mijë vaksina anti-COVID19.
MSH me anë të një komunikate për media ka thënë se ka marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 535 mijë vaksinave për COVID-19.
“Lidhur me interesimin e mediave dhe të qytetarëve për vaksinat anti covid-19, Ministria e Shëndetësisë informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 535 000 vaksinave kundër COVID-19”, thuhet aty.
“Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar me Pfizer Marrëveshjen për konfidencialitet lidhur me vaksinat dhe detajet teknike për sigurimin e vaksinave janë duke u zhvilluar sipas parimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje”, thuhet tutje në reagim.
MSH thotë se përveç vaksinave nga Pfizer, siç edhe është bërë e ditur këtë javë, 600 000 vaksina të tjera janë siguruar përmes shtetit të Austrisë, derisa 720 000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi COVAX.
“Vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar me vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të imunizimit për COVID-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili do të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga MSH.
“Në këtë frymë, MSh kërkon mirëkuptim nga opinioni që t’u mundësohet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësor të kryejnë punën dhe detyrimet ligjore pa presion në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të populates”, thuhet në reagim.
MSh rikonfirmon se Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjes së nevojave të tjera në luftën kundër COVID-19 dhe qytetarët do ta marrin falas vaksinën kundër COVID-19.