Ministria e Shëndetësisë jep detaje për donacionin që pranoi nga BE-ja

Sot është pranuar nga Qendra për Hulumtim të përbashkët të Komisionit Europian, material biologjik i ARN-së së sintetizuar të virusit SARS-CoV-2, shkaktarit të COVID 19, që shërben si mostër kontroll pozitive për prani të SARS-CoV-2.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate, ku ka sqaruar se nuk janë pranuar 60 mijë teste për Covid-19, siç është raportuar më herët.

“Ky material përdoret për të verifikuar saktësinë e fazave të transkriptimit dhe të amplifikimit të SARS-CoV-2 gjatë testimit me Real Time PCR. Nuk janë pranuar 60000 teste, siç kanë raportuar gabimisht disa media, por një sasi prej 6 epruvetave me nga 100 microlitra secila të cilat pas hollimit të tyre në raport 1/1000 mund të përdoren si 60 000 kontrolla pozitive në rast të vendosjes së 5 microlitrave në një reaksion”.

“Materialin e njëjtë e kanë pranuar ose pritet të pranohet edhe nga shtetet tjera në rajon si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut si dhe Turqia.”, thuhet në komunikatë.