Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbajti sot një takim me drejtues të institucioneve shëndetësor dhe përfaqësues të organizatave të komunitetit mjekësor ku është biseduar për situatën në terren pas shpalljes së gjendjes emergjente nga Qeveria e Kosovës, me rekomandim të kësaj ministrie.
Në takim u dhanë rekomandime nga profesionistët shëndetësorë, të cilat më pas u klasifikuan se si duhet proceduar në situatë emergjente në mënyrë që të institucionet të jenë më efikase në zbatim të planit të veprimit.
Me qëllim të koordinimit në këtë takim u diskutua edhe për hierarkinë e strukturave vendimmarrëse si dhe riorganizimin dhe sistematizimin e punonjësve shëndetësor në përputhje me situatën e krijuar dhe nevojat emergjente.
Ministri Vitia njoftoi përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave shëndetësore me një varg masash, të cilat janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë pasi ato janë aprovuar paraprakisht nga Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës Emergjentë lidhur me koronavirus.
Në takim është propozuar të ketë lehtësime për stafin mjekësor më të moshuar, të inkuadrohen vullnetarët që kanë shprehur gatishmërinë, organizimi i ekipeve mobile për vizita të qytetarëve që kanë shenja të dyshimit në COVID-19, furnizimi me materiale mbrojtëse i zonave ku janë ndaluar hyrje-daljet, etj.
Këto dhe masat e tjera të dakorduara do të publikohen pasi që ato të aprovohen nga Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave, pjesë e të cilit janë të gjitha institucionet relevante, ndërsa më pas do t’i adresohen Komisionit të Veçantë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Në Kosovë janë regjistruar 13 raste me koronavirus, prej të cilave tetë vetëm në 48 orët e fundit.