Ministria hap procedurat e prokurimit për rrugën Kijevë-Dollc

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu njofton se janë hapur procedura e prokurimit për rrugën Kijevë-Zahaq, përkatësisht për segmentin Kijevë-Dollc.

Sipas Aliut, buxheti i planifikuar për këtë projekt është 32 milionë euro, i ndarë në katër pjesë.

“Janë hapur procedurat e prokurimit për ndërtimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmenti Kijevë-Dollc. Rruga është e ndarë në 4 llote me gjatësi totale 12.8 km dhe me buxhet të planifikuar prej 32 milionë euro”, ka njoftuar Aliu.

Ai shton se kjo rrugë do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik për të gjithë banorët e Rrafshit të Dukagjinit.

“Kjo rrugë do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës së Rrafshit të Dukagjinit”, ka përfunduar ai.