Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ka filluar me procesin e pilotimit të lajmërimeve në shtëpi të pensionistëve në moshën 85 dhe mbi, për rajonin e Prishtinës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria ka ftuar pensionistët tjerë nga rajoni i Prishtinës që plotësojnë kriteret e paraqitura në njoftim, të dërgojnë kërkesat për lajmërim në shtëpi përmes emailit pensionet.pr@rks-gov.net.
“Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve kemi filluar me procesin e pilotimit të lajmërimeve në shtëpi të pensionistëve në moshën 85 dhe mbi, për rajonin e Prishtinës. Që nga fillimi i procesit kemi pranuar emaila me të dhënat e pensionistëve. Ekipet mobile kanë filluar me realizimin e vizitave, ku të gjithë pensionistët që kanë plotësuar kriteret janë lajmëruar dhe të dhënat janë përditësuar në sistemin e integruar të Pensioneve.
Ftojmë pensionistët tjerë nga rajoni i Prishtinës që plotësojnë kriteret e paraqitura në njoftim, të dërgojnë kërkesat për lajmërim në shtëpi përmes emailit pensionet.pr@rks-gov.net. Nëse keni ndonjë paqartësi, ekipi jonë do t’u udhëzoj përmes emailit”, thuhet në njoftim.