Ministria e Drejtësisë (MD), ka dhënë sqarime se ka nisur procedurat për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë për dërgimin e pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
“Duke qenë se ligji i cekur më lartë përcakton ofrimin e asistencën për personat e akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara dhe në pajtim me planin e prokurimit të vitit 2021, Ministria e Drejtësisë, tashmë ka nisur procedurat përkatëse për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë, në kuadër të të cilave hynë edhe dërgimi i pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore është autorizuar zyrtari për fillimin e procedurës, si dhe janë siguruar mjetet për kontratë kornizë”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Më tutje thuhet se Ministria e Drejtësisë këtë çështje do t’ua konfirmojë familjarëve të personave të akuzuar ditën e hënë ku do të njoftohen në detaje në lidhje me përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore në lidhje me këtë proces.
Kjo ministri më tutje ka thënë se do t’i përmbushë të gjitha obligimet e përcaktuara me Ligjin nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara dhe aktet përkatëse nënligjore.
Njoftimi i MD-së vjen një ditë më vonë pasi përmes një statusi kishte reaguar vajza ish-kryeparlamentarit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se ministrja Donika Gërvalla ua ka ndaluar që përmes ministrisë që ajo e drejton t’ua dërgojnë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë gjërat esenciale.
Gresë Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se Gërvalla duhet t’i lë anash inatet personale.