Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës ku e kishte selinë AAK-ja, përfshirë salla, korridore e banja. Por, një video të cilën e ka siguruar KOHA, tregon se kur AAK-ja u largua, këto hapësira ishin boshe. Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë.
66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin që nuk ekzistonte në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, ku për vite e pati selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, transmeton Gazeta Stop.
Ministria pagoi nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja. Por një video të cilën e ka siguruar KOHA, tregon se kur AAK-ja u largua, këto hapësira ishin boshe.
Shuma e njëjtë u dha edhe për tualete që nuk kanë inventarë, e krahas kësaj, për secilën nga to u pagua edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to u paguan 1 mijë e 500 euro.
Për këto shërbime dhe rinovimin e më pak se 600 metrave katrorë, Ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar 370 mijë euro.
Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë, dhe nuk iu përgjigjën pyetjes se si është e mundur që te specifikat teknike në dosjen e tenderit, vendosën çmime të njëjta për 33 hapësira, që për nga madhësia kanë dallime të mëdha njëra me tjetrën.
Ministria arsyetoi disa dallime të tjera në çmime, dhe u justifikua se pati vetëm një pjesëmarrës në tender.